Takimi i hapjes së projektit Rrjetëzimi dhe Advokim për Aksione Komunitare të Ruajtjes së Burimeve Natyrore Lokale

Menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore në vendin tonë nuk është ende i integruar si duhet në politikat kombëtare dhe veçanërisht në ato lokale. Mospërfshirja e komunitetit dhe OSHC në vendimmarrjet lokale vjen përgjithësisht si pasojë e kapaciteteve të ulëta dhe mungesës se njohurive në grupet e komunitetit lokal dhe mungesës se koordinimit midis organizatave të shoqërisë civile që i përfaqësojnë. Nga ana tjetër komunitetet lokale nuk janë të mirë informuara mbi mundësitë e përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore si potenciale për zhvillimin dhe mirëqenien e tyre. Aktualisht, kjo situatë pengon zbatimin efektiv të politikave lokale të ruajtjes së mjedisit dhe natyrës duke sjellë menaxhim jo të mirë të burimeve natyrore. Fuqizimi i zërit qytetar përmes rrjetëzimit të OSHC-ve lokale dhe kombëtare mbetet një nga sfidat për përmirësimin e demokracisë së brishtë dhe zhvillimin e qëndrueshëm lokal dhe kombëtar.
 
Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA) në bashkëpunim me Klubin Ekologjik - Lezhë, Shoqatën Horizont EU - Lushnje, Shoqatën Mbrojtja e Mjedisit dhe Zhvillimi i Turizmit-Kukës, kanë nisur zbatimin e projektit “Rrjetëzimi dhe Advokim për Aksione Komunitare të Ruajtjes së Burimeve Natyrore Lokale”. Projekti financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në kuadër të projektit “Projekti LëvizAlbania”.
 
Projekti synon të kontribuojë për ndërtimin e një qytetarie (lëvizje komunitare) aktive, partnere e njohur në procesin e qeverisjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm në nivel lokal dhe kombëtar. Ai do të nxisë dhe mbeshtesë koalicionet e organizatave përmes qasjes së shkëmbimit te informacionit dhe rrjetëzimit për të arritur objektiva konkretë sa i përket demokracisë dhe angazhimit qytetar në nivel vendor në bashkinë e Lezhës, Divjakës dhe Hasit. Kjo nismë do të forcojë legjitimitetin rrjeteve lokale dhe zgjerojë hapësirën ndërvepruese për të ndërmarrë veprime konkrete mbi çështje të zhvillimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore lokale me rëndësi për komunitetet që ata përfaqësojnë.
 
Takimi i sotëm ka për qëllim prezantimin e objektivave dhe rezultateve të pritshme të projektit, si dhe informimin dhe bashkëpunimin gjithëpërfshirës me Organizatat e Shoqërisë Civile rreth ndikimeve direkte dhe indirekte, që do të ketë zbatimi i projektit në forcimin e kapaciteteve të tyre.
 
Ky aktivitetet u realizua nga INCA Albania në kuadër të projektit “Rrjetëzimi dhe Advokim për Aksione Komunitare të Ruajtjes së Burimeve Natyrore Lokale”, me mbështetjen financiare të Leviz Albania një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.